Raiffeisen, 20 vjet në Kosovë
Këtë vit, Banka Raiffeisen shënon 20 vjetorin e operimit të saj në Kosovë. Banka ka filluar ta përdorë emrin Raiffeisen në qershor të vitit 2003, pasi Raiffeisen Bank International (RBI) me seli në Vjenë ka blerë 100% të aksioneve të Bankës Amerikane e Kosovës. Asetet e përgjithshme të bankës në atë kohë ishin 95 milionë euro, dhe puna bëhej në rrethana të tilla, ku ekonomia e vendit sapo kishte nisur të ringjallej. Sot, Banka Raiffeisen ka arritur të jetë banka më e madhe në Kosovë në të gjithë treguesit kryesorë financiar.
Rrugëtimin 20 vjeçar në Kosovë, Banka Raiffeisen e ka përmbledhur përmes sloganit “Mbështetje. Përgjegjësi. Inovacion”. Ofrimi i produkteve dhe shërbimeve bankare të një standardi të lartë për të gjitha kategoritë e klientëve, individë dhe biznese, duke mbështetur planet dhe idetë e tyre i ka mundësuar Bankës të ketë një rritje të qëndrueshme gjatë këtyre vjetëve. Kjo rritje është shënuar krahas rritjes dhe suksesit të klientëve të bankës si dhe zhvillimit të vazhdueshëm ekonomik të vendit. Në fund të vitit 2022, totali i aseteve të përgjithshme të Bankës Raiffeisen në Kosovë arriti shifrën prej 1.3 miliardë Euro.
Gjatë këtyre vjetëve, Banka Raiffeisen i ka kushtuar rëndësi përgjegjësisë, duke përfshirë këtu parimet e bankimit të përgjegjshëm, përgjegjësisë ndaj klientëve, partnerëve të tjerë, si dhe përgjegjësisë ndaj punonjësve të saj. Po ashtu, edhe përgjegjësia ndaj komunitetit ka qenë gjithmonë pjesë e strategjisë, dhe si rezultat i një bashkëpunimi që kur ato u paraqitën tek banka vetëm si iniciativa, Banka Raiffeisen është e kënaqur të jetë partnere e projekteve tanimë mirë të konsoliduara dhe shumë të suksesshme, si PriFilm Festival, Chopin Piano Festival, ose Atomi.
Inovacioni ishte udhërrëfyes për Bankën Raiffeisen në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve për klientë. Në dekadën e fundit, Banka Raiffeisen ka zhvilluar dhe sjellur tek klientët shumë platforma të qëndrueshme digjitale përmes së cilave ofrohen shërbime dhe produkte të ndryshme bankare, por në të njëjtën kohë, i ka ruajtur degët e saj në qytetet e Kosovës, duke i pajisur ato me hapësira digjitale. Kjo qasje ju mundësoi klientëve të kenë zgjidhje të ndryshme për të menaxhuar financat etyre, varësisht si ju përshtatet atyre.
“Raiffeisen është një shembull shumë i mirë i investimit austriak në Kosovë. Jemi krenarë që kemi kontribuar dhe jemi pjesë e një sistemi bankar që vlerësohet të jetë shumë i sukseshëm në Kosovë,” tha Anita Kovacic, drejtoreshë ekzekutive e Bankës Raiffeisen në Kosovë. Znj. Kovacic tutje theksoi se “Suksesi ynë është arritur si rezultat i ofrimit të produkteve dhe shërbime financiare të qëndrueshme, besimit që klientët tanë kanë pasur tek ne, angazhimit të punonjësve, si dhe bashkëveprimit profesional me rregullatorët, institucionet dhe përfaqësuesit e komunitetit. Në emër të Raiffeisen i falenderoj të gjithë që kanë zgjedhur Raiffeisen si bankën e tyre ose si partner biznesi.”
Banka Raiffeisen në Kosovë ka rreth 20% të tregut bankar në vend. Përmes më shumë se 800 punonjësve të saj në 37 degë në Kosovë, banka ju ofron shërbime dhe produkte bankare 290,000 klientëve. Në vitin 2022, Raiffeisen është vlerësuar si “Banka më e mirë në Kosovë” nga Euromoney dhe “Banka e vitit” nga The Banker.