Banka Raiffeisen në Kosovë dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në mbështetje të tranzicionit të gjelbër
Dje, Maria Suokko, përfaqësuese e UNDP-së dhe Anita Kovacic, CEO e Bankës Raiffeisen në Kosovë, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për të mbështetur rimëkëmbjen e gjelbër në sektorin privat.
Ky bashkëpunim synon të mbështesë sektorin privat në Kosovë, me fokus të veçantë në Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM), në përpjekjet e tyre për të rritur tranzicionin e gjelbër duke përmirësuar qasjen në financim, programe ndërtimi kapacitetesh dhe duke rritur shkëmbimin e njohurive rajonale dhe lokale përmes BOOST x Kosovë.
BOOST është një program përshpejtimi i UNDP-së për Europën dhe Azinë Qendrore që nxit inovacionin e impaktit social dhe përshpejton Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.
BOOST x Kosova është kapitulli lokal i programit, i cili u lancua vitin e kaluar nga UNDP Kosova dhe Ambasada e Japonisë në Kosovë dhe u zbatua në bashkëpunim me Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK) dhe Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Edicioni i parë i tij mbështeti bizneset dhe komunitetet për rimëkëmbje nga COVID-19 dhe për të kontribuar në një të ardhme reziliente ndaj ndryshimeve klimatike.
Si pjesë e këtij bashkëpunimi, Raiffeisen Bank Kosova do të mbështesë pesë NVM të zgjedhura që marrin pjesë në Programin BOOST me grant dhe të gjithë pjesëmarrësit e BOOST x Kosovës do të mbështeten me produkte financiare që ndërlidhen me kriteret e Ambientit, Shoqërinë dhe Qeverisjen (ESG-linked finance) për t'u ndihmuar në tranzicionin e tyre drejt një ekonomie më të gjelbër.