Skip to main content
News - Banner

Raiffeisen shënon 20-vjetorin në Kosovë me Samitin ESG

Në kuadër të përpjekjeve për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm si dhe për të shënuar 20-vjetorin e operimit në Kosovë, Banka Raiffeisen ka organizuar Samitin ESG (Environmental, Social, and Governance; në shqip: Ambienti, Shoqëria dhe Qeverisja) të përqendruar në temën “Tranzicioni në ekonominë e gjelbër”. 

Samiti i mbajtur më 15-16 qershor në Prishtinë është përshkruar nga një seri diskutimesh të përqendruara në aspekte të ndryshme të promovimit të qëndrueshmërisë, adresimit të ndryshimeve klimatike dhe mobilizimit të burimeve për të mbështetur nismat e gjelbra.  Gjithashtu, pjesë e ngjarjes ishte edhe një panair, ku bizneset patën mundësi t’i prezantojnë aktivitetet e tyre që kontribuojnë në agjendën e gjelbër.

ërfaqësues nga institucionet e Kosovës, bizneset, si dhe nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare qe morën pjesë në panelet diskutuese patën mundësi që të eksplorojnë sfidat dhe mundësitë drejt tranzicionit një ekonomie të qëndrueshme dhe miqësore ndaj ambientit. Ata gjithashtu vlerësuan përkushtimin e Bankës Raiffeisen në këtë fushë.

Drejtoresha Ekzekutive e Bankës Raiffeisen në Kosovë, Anita Kovacic, e përshkroi si të jashtëzakonshëm rrugëtimin 20-vjecar të Bankës në Kosovë.

“Këtë rrugëtim ne jemi përpjekur ta përmbledhim me një slogan të thjeshtë: Përkrahje, Përgjegjësi dhe Inovacion. Por, shumë më tepër se një slogan, këto deklarata përfaqësojnë parimet e punës sonë përgjatë këtyre dy dekadave,” ka thënë ajo në fjalën hyrëse.

Lidhur me Samitin ESG, zonja Kovacic theksoi:“Nuk është rastësi që po shënojmë përvjetorin tonë me konferencën e sotme dhe këtë temë. Kjo sepse veçanërisht gjatë viteve të fundit, ne jemi fokusuar intensivisht në ndikimin që ka portofoli i bankës në ruajtjen e mjedisit dhe ekonomisë qarkore.”

“Ne besojmë se së bashku mund të nxisim ndryshime pozitive dhe të hapim rrugën për një të ardhme më të gjelbër. Prandaj, shpresoj se kjo ngjarje do të kontribuojë në eksplorimin e sfidave dhe mundësive të tranzicionit në një ekonomi më të qëndrueshme dhe miqësore me klimën në Kosovë”, shtoi ajo.

Në fjalën e saj hyrëse, Anëtarja e Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, Nora Latifi – Jashari, uroi Bankën për 20-vjetorin në Kosovë, duke thënë se  ky përvjetor “është një moment i rëndësishëm që na lejon të reflektojmë mbi bashkëpunimin e ngushtë dhe të suksesshëm qe ka pasur sektori bankar me Bankën Qendrore gjatë dy dekadave të kaluara.”

Në diskutimet në kuadër të paneleve morën pjesë ndër tjerash edhe Drejtori i Bankës  Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Kosovë, z. Sergiy Maslichenko, Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Energjisë, z. Getoar Mjeku, Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, z.Alban Zogaj, e të tjerë.

Raiffeisen vepron në Kosovë që nga viti 2003, pasi Raiffeisen Bank International (RBI) me seli në Vjenë bleu të gjitha aksionet e atëherë Bankës Amerikane në Kosovë. Sot, Banka Raiffeisen ka më shumë se më shumë se 850 punonjës.