BERZH-i i ofron Raiffeisen Bank në Kosovë paketën prej 31 milionë eurosh për nxitjen e bizneseve të vogla
Paketë e mbështetur nga BE-ja për zgjerim të qasjes në financa dhe përshpejtim të projekteve të gjelbra në Kosovë
- 25 milionë euro për ndarje të riskut të portfolios për të çliruar 50 milionë euro për kreditim të NMVM-ve
- Dy hua prej 3 milionë eurosh secila, në kuadër të programeve për Kalim në Digjital dhe GEFF, për të nxitur digjitalizimin, efiçiencën e energjisë dhe teknologjitë e gjelbra
- Paketë e mbështetur nga BE-ja përmes WBIF dhe EFSD+
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po zgjeron bashkëpunimin e vet me Raiffeisen Bank në Kosovë përmes një pakete gjithëpërfshirëse financimi prej 31 milionë eurosh që do të forcojë qasjen në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), do të përshpejtojë transformimin digjital, si dhe do të nxisë investime të gjelbra në mbarë Kosovën.
Paketa përfshin një garanci të pafinancuar deri në 25 milionë euro për ndarjen e riskut të portfolios, një kredi prej 3 milionë eurosh në kuadër të programit për Kalim në Digjital në Ballkanin Perëndimor, si dhe një hua prej 3 milionë eurosh në kuadër të Instrumentit të BERZH-it për Financim të Ekonomisë së Gjelbër (GEFF).*
Në kuadër të instrumentit të zgjeruar për ndarje të riskut të portfolios, BERZH-i do të ofrojë një garanci të pafinancuar deri në 25 milionë euro, duke mbuluar deri në 50 për qind të portfolios prej 50 milionë eurosh të kredive të gjeneruara rishtazi nga Raiffeisen Bank në Kosovë. Aranzhimi përfshin mbulimin e riskut të humbjes së parë me mbështetje nga Bashkimi Evropian deri në 2 milionë euro në kuadër të Fondit Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm Plus (EFSD+). Duke ndarë riskun në baza proporcionale, programi çliron kreditime të reja për biznese në mbarë Kosovën nga fondet
vetanake të Raiffeisen Bank në Kosovë. Fondet do të përdoren për të financuar nënkredi për NMVM-të e pranueshme, me të paktën 30 për qind të drejtuara për investime të gjelbra në përputhje me qasjen e BERZH-it për Tranzicionin e
Ekonomisë së Gjelbër (GET) dhe duke u fokusuar në ndërmarrjet e udhëhequra nga të rinjtë dhe gratë, firma jashtë Prishtinës dhe sektorët e agrobiznesit dhe turizmit.
BERZH-i gjithashtu do të ofrojë 3 milionë euro në kuadër të programit të vet për Kalim në Digjital në Ballkanin Perëndimor, për t’u ndihmuar NVM-të të modernizohen përmes automatizimit, mjeteve digjitale dhe teknologjive të gjelbra. Të paktën 60 për qind e financimit do të mbështesë projektet e digjitalizimit dhe të paktën 60 për qind e investimeve totale do të jenë të pranueshme për GET. BE-ja do të ofrojë mbështetje përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), duke përfshirë asistencën teknike të ekspertëve dhe incentivat e investimeve për projektet e pranueshme të automatizimit dhe digjitalizimit, deri në 10 për qind të kredisë individuale, të pagueshme pas përfundimit të verifikuar të projektit. Programi promovon gjithëpërfshirjen, duke ofruar trajnime dhe mbështetje të targetuar për NVM-të e udhëhequra nga gratë për forcimin e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së tyre.
Në kuadër të instrumentit të vet GEFF, BERZH-i do të ofrojë 3 milionë euro për zgjerim të financimit për NMVM-të të prnueshëm për GET-in, për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtërishme. Fondet do t’u ndihmojnë firmave të ulin përdorimin e energjisë dhe emetimet duke financuar përmirësimet në ndërtesa (izolim, dritare, sisteme ngrohje dhe ftohje), pajisje dhe procese efiçiente dhe gjenerim të ripërtërishëm në shkallë të vogël përmes paneleve solare. Paketa mbështetet nga BE-ja, Japonia, Danimarka dhe donatorë të tjerë, me financim për asistencë teknike dhe incentiva investimi për projekte të gjelbra të pranueshme, që do të paguhen pasi të jenë përfunduar dhe verifikuar investimet.
Sergiy Maslichenko, Udhëheqësi i BERZH-it për Kosovën, u shpreh se: “Bizneset e vogla të Kosovës mund të përfitojnë ndjeshëm nga financat që shpërblejnë inovacionin dhe investimet e gjelbra. Në partneritet me Raiffeisen Bank në Kosovë, kjo paketë zgjeron kapacitetin kreditues, ndan riskun dhe kanalizon kapitalin në projekte që forcojnë konkurrueshmërinë dhe reziliencën, duke arritur në rajonet që nuk marrin shërbime të mjaftueshme dhe ndërmarrjet e udhëhequra nga gratë dhe të rinjtë. Me mbështetjen e BE-së përmes WBIF, projekti do të përshpejtojë tranzicionin e Kosovës drejt një ekonomie me karbon të ulët dhe të mundësuar digjitalisht”.
Alessandro Bianciardi, Zëvendës Udhëheqës i Bashkëpunimit në zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, shtoi se: “Iniciativat për Kalim në Digjital dhe GEFF demonstrojnë përkushtimin e fortë të Bashkimit Evropian për të mbështetur rritjen e qëndrueshme, transformimin digjital dhe konkurrueshmërinë në mbarë rajonin. Përmes mbështetjes së WBIF-it dhe EFSD+, kjo paketë do t’u ndihmojë bizneseve të modernizohen, të adoptojnë teknologji më të gjelbra dhe të çlirojnë mundësi të reja për inovacion, produktivitet dhe krijim të vendeve të punës”.
Anita Kovacic, Drejtoreshë Ekzekutive e Raiffeisen Bank në Kosovë, u shpreh se: “Këto marrëveshje me BERZH-in e forcojnë më tej partneritetin tonë afatgjatë dhe përkushtimin tonë të përbashkët për ta mbështetur ekonominë e Kosovës. Duke kombinuar ndarjen e riskut, financimin e digjitalizimit dhe investimet e gjelbra, kjo paketë na mundëson të zgjerojmë qasjen në financa për NMVM-të në mbarë vendin, veçanërisht për ndërmarrjet e udhëhequra nga gratë dhe të rinjtë”.
Raiffeisen Bank në Kosovë është banka më e madhe komerciale në vend dhe partner afatgjatë i BERZH-it, me një rekord të suksesshëm në zbatimin e projekteve të BERZH-it prej vitit 2006. Me seli në Prishtinë, ajo i shërben një game të gjerë të klientëve, nga individët privatë dhe firmat e vogla deri te korporatat e mëdha.
BERZH-i është investitor institucional kryesues në vend, me investime kumulative prej 871 milionë eurosh në Kosovë përmes 139 projekteve deri më sot.
* GEFF i BERZH-it në Ballkanin Perëndimor bashkë-financohet nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, nga Austria, Japonia dhe Danimarka, si dhe nga Austria dhe Zvicra përmes Partneritetit me Ndikim të Lartë në Veprimin për Klimën (HIPCA). HIPCA e BERZH-it mbështetet nga Austria, Kanadaja, Finlanda, Gjermania, Holanda, Koreja e Jugut, Spanja, Zvicra, Tajvani, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.