Skip to main content
News - Banner
News - Banner

Mbështesim kinematografinë e Kosovës përmes PriFest

Banka Raiffeisen në Kosovë vazhdoi mbështetjen e saj për PriFest - Prishtina International Film Festival, një ngjarje e rëndësishme kulturore që shënoi edicionin e 15-të këtë vit.

Ceremonia e hapjes, e cila mblodhi në Prishtinë producentë dhe adhurues filmash nga vende të ndryshme, u pasua nga premiera e filmit "The Land Within" [Toka brenda meje], që shënoi zyrtarisht nisjen e festivalit.

Drejtoresha Ekzekutive e Bankës Raiffeisen në Kosovë, Anita Kovacic, tha se banka e ka mbështetur këtë festival të rëndësishëm që nga edicioni i parë për një mori arsyesh.

“Ne e mbështesim festivalin jo vetëm për faktin se na pëlqen të shohim ndonjë film të mirë,” tha zonja Kovacic, duke shtuar se festivali kontribuon në ndërkombëtarizimin e kinematografisë kosovare “ e cila ka shumë për të
thënë për një vend që ka kaluar nëpër tranzicion të jashtëzakonshëm politik, historik dhe shoqëror në dekadat e fundit”.

"Ashtu si PriFest sonte po feston edicionin e tij të 15-të, ne gjithashtu po shënojmë një moment të rëndësishëm duke shënuar 20-vjetorin e operimit në Kosovë. Përgjatë këtyre viteve, ne e kemi mbështetur vazhdimisht komunitetin kulturor të Kosovës."

Festivali zgjat nga 12 deri më 17 shtator, duke ofruar një program të larmishëm filmash dhe aktivitetesh të tjera që lidhen me industrinë e filmit, si seminare dhe diskutime. Gjithashtu, pjesë e festivalit janë edhe netët muzikore.