Partneriteti me Wise Platform mundëson pagesa ndërkombëtare më të shpejta dhe me kosto më të ulët
Banka Raiffeisen në Kosovë ka nisur bashkëpunimin me Wise Platform për të avancuar shërbimin e saj të pagesave ndërkombëtare.Përmes këtij bashkëpunimi, klientët do të mund të kryejnë pagesa ndërkufitare më shpejt, me kosto më të ulët dhe me transparencë më të madhe, duke përmirësuar më tej përvojën e përgjithshme të klientit.
Wise Platform gëzon besimin e institucioneve financiare lider në nivel global, ndërsa ky bashkëpunim bazohet në partneritetin e krijuar ndërmjet Raiffeisen Bank International dhe Wise Platform.
Raiffeisen Bank në Kosovë është banka e parë brenda rrjetit të Grupit RBI, si dhe banka e parë në tregun bankar të Kosovës, që implementon këtë zgjidhje, e cila tashmë është pilotuar me sukses me një grup më të vogël klientësh dhe tani po zgjerohet për një përdorim më të gjerë.
Matthias Dekan, Udhëheqës i Pagesave dhe Bankimit Ditor në Raiffeisen Bank International, tha:
“Duke u shërbyer si individëve ashtu edhe bizneseve të vogla dhe të mesme në Raiffeisen Bank Kosova, ky shërbim plotësisht funksional shfrytëzon kapacitetet inovative të Wise Platform për të ofruar një përvojë superiore të pagesave ndërkombëtare. Bashkëpunimi ynë me Wise Platform tashmë po sjell vlerë konkrete për klientët e Bankws Raiffeisen nw Kosovw dhe jemi të inkurajuar nga kërkesa që po shohim nga klientët.”
Ai shtoi se, pas këtij lansimi të suksesshëm, RBI pret ta zgjerojë këtë zgjidhje inovative në të gjithë Grupin në të ardhmen e afërt.
Iliriana Toçi, Anëtare e Bordit për Retail në Bankën Raiffeisen në Kosovë, gjithashtu vëri në pah ndikimin e gjerë të këtij bashkëpunimi.
“Ne vazhdimisht kërkojmë mënyra për ta bërë bankimin më të përshtatshëm dhe më të qasshëm. Ky partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm në fuqizimin e ofertës sonë të shërbimeve, duke sjellë një zgjidhje të parë në treg që përmirëson ndjeshëm përvojën e klientit. Klientët tanë do të përfitojnë nga transaksione ndërkombëtare më të shpejta dhe më kosto efektive, transparencë e plotë mbi tarifat dhe kurset e këmbimit, si dhe një përvojë pagesash të thjeshtë dhe të lehtë për përdorim. Teksa transfertat globale po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme, ky bashkëpunim na mundëson të ofrojmë më shumë vlerë, efikasitet dhe kontroll për klientët tanë.”
Steve Naudé, Drejtor Menaxhues Global në Wise Platform: “Jemi të lumtur që po vazhdojmë ta zgjerojmë partneritetin tonë me Raiffeisen Bank International, ndërsa sjellim pagesa ndërkufitare më të shpejta, më transparente dhe më të përballueshme në më shumë tregje të RBI-së. Përkushtimi i Raiffeisen për të ofruar një përvojë të nivelit më të lartë për klientët e bën atë një partner të fortë dhe presim me padurim të ndërtojmë më tej mbi këtë momentum së bashku.”
Për më shumë informata mbi pagesat ndërkombëtare dhe tarifat përkatëse, vizitoni linkun këtu:
---
Rreth Raiffeisen Bank Kosova:
Raiffeisen Bank në Kosovë është banka më e madhe komerciale në vend. Ajo është degë e Raiffeisen Bank International AG (RBI), e cila hyri në tregun e Kosovës në fund të vitit 2002. Në qershor të vitit 2003, banka u riemërtua zyrtarisht si Raiffeisen Bank në Kosovë. Sot, ajo u shërben një baze të gjerë klientësh, duke filluar nga individët dhe bizneset e vogla deri te korporatat e mëdha.
Rreth Wise Platform:
Wise Platform mbështetet nga mbi 80 licenca dhe tetë lidhje direkte me sisteme pagesash në nivel global, duke mundësuar pagesa ndërkufitare të shpejta dhe të sigurta në mbi 160 shtete dhe në më shumë se 40 valuta.