Skip to main content
News - Bannerat
News - Bannerat

Financat e qëndrueshme: Kombinimi i biznesit me një kauzë të mirë

Markus Ecker, Udhëheqës i Financimit të Qëndrueshëm në RBI, shpjegon pse të gjithë po “luajnë mendsh” pas financave të qëndrueshme dhe pse RBI është përpara në garë sa i përket kësaj teme.

Markus, thatë gjatë diskutimit paraprak të kësaj interviste se të gjithë po “luajnë mendsh” pas financave të qëndrueshme për momentin. Pse është kështu?

Sepse i kombinon aspektet e biznesit me një kauzë të mirë. Në thelb, është shumë tërheqëse për secilin prej nesh në bankë, por edhe për gjithë klientët dhe investitorët tanë, nëse mund të arrihet efekt pozitiv për mjedisin apo shoqërinë nëpërmjet biznesit. Një pjesë e përkufizimit të financave të qëndrueshme është krijimi i financimit për qëllim të qëndrueshëm. Ndërtimi i parkut me erë për shembull ose në veçanti, i ndërtesës me efiçiencë energjetike. Pjesa tjetër e spektrit të produkteve tona janë produktet që ndikojnë në sjelljen e klientit në lidhje me qëndrueshmërinë, për shembull duke lidhur madhësinë e marzhës me arritjen e cakut të caktuar të qëndrueshmërisë nga klienti.

Me fjalë tjera, banka është kuazi[1]edukative dhe paraqet zgjidhje se si klienti mund të përmirësohet në aspektin e qëndrueshmërisë

Po, saktë, kjo është një pjesë thelbësore e konsultimit tonë, për t’i shpjeguar së pari klientit se çfarë nënkupton praktika më e mirë, ku mund të ketë ai mangësi në krahasim me të dhe çfarë mund ose duhet të bëjë për të qenë në përputhje me pritshmëritë e tregut. Bankat e bëjnë këtë për disa motive. Së pari, sepse është e mirë për biznesin. Jo vetëm në kuptimin e lidhjes së ujdive, por edhe për marrëdhënien afatgjatë me klientin. Ne besojmë se klienti që shqetësohet për aspektet mjedisore dhe sociale, si dhe të qëndrueshmërisë është edhe ekonomikisht i qëndrueshëm dhe si rezultat paraqet risk më të mirë për bankën. Aspekti i dytë është roli që na ka dhënë politika në nivel evropian. Komisioni Evropian ka investuar shumë energji për të caktuar se çfarë është transaksioni i qëndrueshëm. Kjo është e ashtuquajtura taksonomia e BE-së. Njëkohësisht, janë përcaktuar metrikat sa i përket proporcionit të aseteve të qëndrueshme në portfolion e bankës. Pra, nuk e bëjmë këtë thjesht për përfitimin tonë, por po ndihmojmë për të arritur caqet në nivel të Evropës dhe për të përmbushur kërkesat e rregullatorit.

Me fjalë tjera, situatë me përfitim në të gjitha aspektet (ëin-ëin-ëin) ku (duhet të) marrin pjesë gjitha bankat. Çfarë përparësie të veçantë sa i përket këshillave dhe produkteve mund t’u ofrojë RBI klientëve të saj?

Ashtu është, të gjithë e bëjnë. Përparësia jonë është se jemi në gjendje të këshillojmë klientin më mirë se të tjerët, veçanërisht në Evropën Lindore ose në vendet jo anëtare të BE-së. Kemi një pikë të veçantë shitjeje këtu, sepse e njohim mjedisin lokal dhe kushtet e tregut më mirë se të tjerët. Dhe ndoshta edhe sepse ne ngrisim çështjen në mënyrë proaktive. U takuam me një klient në Rumani, një kompani riciklimi, drejtori ekzekutiv i së cilës ka marrë pjesë në secilin panel diskutimi në vend ku flitej mbi qëndrueshmërinë, sepse personalisht është i interesuar për këtë temë. Dhe ne ishim banka e parë që folëm seriozisht me të rreth qëndrueshmërisë. Pa dyshim se kjo ishte me dobi për pozitën tonë.

Në përgjithësi, a janë klientët tanë tashmë të akomoduar mirë rreth temës së qëndrueshmërisë apo janë ende në fillim të rrugëtimit të tyre?

Të dyja, edhe pse fokusi është gjithnjë e më shumë tek klientët që duan të hyjnë në detaje. Kjo në të vërtetë është edhe pika jonë e fortë; na duhet të përcjellim njohuritë themelore vetëm të shumë pak klientë. Dy-tre vjet më parë, kjo ende paraqiste problem ndonjëherë, por sot diskutimet me ekspertët tanë tashmë janë shumë të fokusuara në nevojat specifike dhe të përcaktuara të kompanisë përkatëse.

Dhe çka e bën një kredi “të qëndrueshme”?

Nëse kredia përdoret për projekte miqësore me klimën ose projekte sociale, ose nëse banka e ndërlidhë madhësinë e marzhës së kredisë me sjelljen e klientit në lidhje me qëndrueshmërinë, për shembull, ose me përmirësimin në vlerësimin e tij të qëndrueshmërisë. Me fjalë tjera, marzha zvogëlohet nëse tejkalohen treguesit e paracaktuar kryesorë të performancës (KPI). Sfida me këtë produkt është se gjithmonë duhet të përcaktoni KPI-në që i përshtatet specifikave të klientit. Kjo është pjesë e këshillimit tonë dhe mund të ketë mos dakordime, por zakonisht i zgjidhim ato. Përpiqemi të pajtohemi për KPI realiste me pika fillestare dhe fundore të verifikueshme. Fundja, ajo çka ka rëndësi për klientin nuk janë disa pikë bazë plus ose minus – kjo vërtet nuk bën ndonjë dallim – por që ai të lëvizë në drejtimin e dëshiruar.

E përmendët ekspertizën tonë në rajonin e EQL në fillim. Çfarë bëni për ta ruajtur apo zgjeruar këtë ekspertizë dhe pozitën tonë në rajon?

Si pjesë e Qendrës së Kompetencës të ESG, kemi formuar shumë herët rrjetin e ambasadorëve të ESG në bankat e rrjetit. Sot, ka njerëz që punojnë në secilin vend që janë të pasionuar pas temës dhe e promovojnë brenda dhe jashtë. Dhe trajnojmë më shumë se 1000 kolegë në tërë grupin çdo vit. Në fund, e rrisim edhe ekspertizën tonë duke përcaktuar që gjitha bankat e rrjetit duhet të emetojnë obligacionet e tyre të gjelbra kurdo që është e mundur. Fakti që obligacionet e gjelbra janë aq shumë të pranishme në rajonin e EQL-së, sigurisht që i detyrohet rrjetit të bankave tona. Si grup, jemi emetuesi më i madh i obligacioneve të gjelbra në rajon. Dhe nuk duhet harruar se investimi i gjelbër në EQL ka ndikim shumë më të madh se në Evropën Perëndimore, sepse, për shembull, miksi i energjisë është shumë më i varfër

Përveç potencialit të biznesit dhe ndikimit pozitiv në mjedis, çfarë ju shtyn, cila është e bukura e financave të qëndrueshme?

Veçanërisht më pëlqen ndikimi në njerëz, kolegët e mi. Jo vetëm që fitojnë para për bankën, e që edhe është puna e tyre, por janë në pozitë të mirë të dinë që ajo çfarë bëjnë, produktet që i strukturojnë, njohuritë që i përcjellin tutje japin kontribut pozitiv që është i qëndrueshëm në afat të gjatë dhe në kuptimin e vërtetë të fjalës. I jep kuptim asaj që e bëjnë profesionalisht dhe njerëzit që punojnë në këtë fushë, vërtet e çmojnë këtë. Kjo vlen edhe për mua, sigurisht.

[Intervista fillimisht është publikuar nga RBI, para se të përfsihej në edicionin e parë të buletinit të Bankës Raiffeisen, RaiMagazine]


  • Nga Redaktori: Martin Schreiber (RBI)