Skip to main content
News - Banner
News - Banner

BERZH-i dhe Raiffeisen bëhen bashkë për përforcimin e huadhënies për NMVM-të në Kosovë

Garancia e pafinancuar me vlerë prej 20 milionë eurosh do të çlirojë
kapital për huadhënie për NMVM-të

· Nënshkruhet instrumenti i parë i pafinancuar i Garancisë për Rritje

· Instrumenti inovativ çliron financim të ri për NMVM-të në mbarë Kosovën

· Njëzet për qind e huadhënies së re është alokuar për financim të gjelbër 

Në një lëvizje inovative, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nënshkruan instrumentin e parë të Garancisë për Rritje (G4G) në Kosovë me Bankën Raiffeisen në Kosovë, me synim përforcimin e financimit për ndërmarrjet
mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM).

Garancia e BERZH-it, me vlerë deri në 20 milionë euro, do të ofrohet përgjatë tri viteve dhe do të lidhet me portofolin e bonove sovrane vendore të Bankës Raiffeisen në Kosovë. Kapaciteti shtesë për marrje të riskut që çlirohet nga garancia do t’i lejojë bankës të dedikojë fonde të reja për bizneset kosovare, duke rritur mbështetjen e saj për ekonominë reale.

Huadhënia e Bankës Raiffeisen në Kosovë në kuadër të programit do të fokusohet në mbështetjen e NMVM-ve lokale, të cilat janë jetësore për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë së Kosovës. Të paktën një e pesta e nënkreditimit do të dedikohet për projekte në kuadër të Tranzicionit të Ekonomisë së Gjelbër (GET), siç janë efiçienca e energjisë dhe e resurseve.

Sergiy Maslichenko, Udhëheqësi i BERZH-it për Kosovën, tha: “BERZH-i është e përkushtuar ta mbështesë më tej zhvillimin e sektorit privat duke financuar NMVM-të dhe tranzicionin e gjelbër përmes këtij instrumenti inovativ të garancisë”.

Anita Kovacic, Drejtoresha Ekzekutive e Bankës Raiffeisen në Kosovë, shtoi: “Si banka më e madhe në vend, e mbështesim fuqishëm tranzicionin drejt një ekonomie më të gjelbër në Kosovë. Jemi të kënaqur të shohim se përkushtimi ynë është përforcuar përmes nënshkrimit të kësaj marrëveshje të rëndësishme me BERZH-in. I jemi mirënjohës BERZH-it për këtë partneritet dhe i ftojmë NMVM-të që të përfitojnë nga ky instrument inovativ financiar”.

Banka Raiffeisen në Kosovë është banka më e madhe në vend me 20 për qind të tregut të huadhënies në fund të qershorit 2023. Ajo ofron një gamë gjithëpërfshirëse të produkteve për individët, NMVM-të dhe korporatat, me një rrjet prej 36 degësh dhe më shumë se 900 të punësuar në mbarë Kosovën.

Deri më sot, BERZH-i ka investuar më shumë se 650 milionë euro në Kosovë, nga të cilat 68 për qind kanë shkuar për sektorin privat.