Skip to main content

Një bankë që kujdeset për mjedisin

Si banka më e madhe në vend, Banka Raiffeisen synon të jetë shembull i mirë në mbrojtjen e mjedisit përmes projekteve inovative dhe praktikave të qëndrueshme.

Në maj të këtij viti, disa dronë fluturuan mbi pyjet në Prishtinë, por kësaj radhe nuk u ngritën për të bërë fotografi. Misioni i tyre ishte për të ndihmuar në përpjekjet për ripyllëzimin e pyjeve në kryeqytet si pjesë e Green Wings, një nismë e mbështetur nga banka.

Nisma të tilla janë në përputhje të përkryer me përkushtimin e bankës ndaj mjedisit, dhe ne kemi mbështetur rregullisht projekte të ndryshme që synojnë rritjen dhe promovimin e qëndrueshmërisë mjedisore.

Këtë vit, për shembull, banka mbështeti programin Boost Kosovo të UNDP në Kosovë, një projekt që synon të përgatisë bizneset për t’u përshtatur me ndikimet e ndryshimeve klimatike ndërsa përshpejton rrugën drejt praktikave të qëndrueshme të biznesit. Banka e ka mbështetur programin përgjatë dy edicioneve të mbajtura deri më tani (2023 dhe 2024). Në janar, gjithashtu banka arriti një marrëveshje të rëndësishme me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që do të ndihmojë më tej bizneset në kalimin drejt gjelbërimit.

Por, përveç përkrahjes së projekteve të tilla, banka është e përkushtuar për të nxitur bankimin e përgjegjshëm për një të ardhme më të qëndrueshme edhe duke zbatuar praktika miqësore mjedisore brenda bankës (in-house ecology).

Në këtë drejtim, banka ka instaluar panele diellore dhe ka rritur numrin e makinave hibride në flotën e saj. Këto përpjekje të brendshme janë vlerësuar dhe banka ka marrë certifikimin ISO 14001, një standard i njohur globalisht për Sistemet e Menaxhimit Mjedisor (EMS).Vitin e kaluar, banka gjithashtu filloi të publikojë Raportin e Qëndrueshmërisë, duke e bërë atë bankën e parë në Kosovë që e bën këtë.

Vesa Paca, e cila koordinon aktivitetet si pjesë e Agjendës ESG (Mjedisore, Sociale, Qeverisjes) brenda bankës, thekson se secili mund të kontribuojë për një botë më të gjelbër."Ne besojmë se secili ka një rol në ruajtjen e mjedisit për gjeneratat e ardhshme. Sot,  ndërsa shënojmë Ditën Botërore të Mjedisit, jemi veçanërisht të ndërgjegjësuar për nevojën urgjente për të vepruar," thotë ajo.

"Duke integruar parimet ESG në proceset tona bankare, ne jemi të përkushtuar ndaj praktikave të qëndrueshme që sjellin përfitime për mjedisin por edhe krijojnë vlerë afatgjatë për biznesin tonë dhe komunitetin," shton Paca.

Duke qenë banka më e madhe në vend, Banka Raiffeisen në Kosovë mbetet e përkushtuar për të udhëhequr me shembull në qëndrueshmërinë mjedisore dhe praktikat e përgjegjshme bankare. Ndërsa vazhdojmë të promovojmë një të ardhme më të gjelbër, përpjekjet tona shtrihen përtej fjalëve në veprime të prekshme që bëjnë ndryshim.


  • 2 min